Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Reformat e ndėrmarra shndėrruan nė realitet vendimin historik tė KE pėr heqjen e vizave pėr Shqipėrinė
 

Një faktor është emëruesi i përbashkët i këtyre reformave dhe qëndron në bazë të gjithë këtij suksesi dhe ky është shteti ligjor dhe funksionimi i tij. Shteti ligjor qëndron në bazë të të gjitha reformave, por, mbi të gjitha e para së gjithash, në zgjedhjet e lira e të ndershme që zhvilluam.

 

Kryeministri Berisha u ndal sot sërish, në mbledhjen e qeverisë, në vendimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë, duke shprehur edhe një herë mirënjohjen e thellë ndaj KE-së e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për këtë akt historik dhe miqësor ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht, duke e konsideruar atë një proces të bazuar mbi meritën dhe performancën.   

 

Kryeministri Berisha theksoi se ishin reformat e ndërmarra nga qeveria ato, të cilat shndërruan në realitet këtë vendim historik. “Siç do të shprehej komisionerja Malstrom në deklaratën e saj para mediave, - u shpreh Kryeministri - Shqipëria ka arritur rezultate shumë të rëndësishme, prekëse, impresionuese të në gjitha fushat, të cilat bënë të mundur këtë vendim.  Ka qenë një vendim i prerë dhe përfundimtar i yni që të procedojmë me reformat, t’i zbatojmë dhe shndërrojmë ato në një realitet të madh për shqiptarët”.

 

Kryeministri vlerësoi funksionimin e shtetit ligjor si një emërues i përbashkët, që qëndron në bazë të të gjitha reformave, por, theksoi ai, mbi të gjitha e para së gjithash, në zgjedhjet e lira e të ndershme që u zhvilluan.

 

“Zgjedhjet janë dëshmia më e shkëlqyer e funksionimit të shtetit ligjor në këtë vend. Këto zgjedhje nuk ishin të përsosura, por kanë disa standarde unike në botë. Standard unik është procesi i numërimit, është konstatimi se nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultateve, as edhe numërim të parregullt, është seti elektronik i procesit të numërimit, e drejta e vetos e çdo të pranishmi në këtë proces. U bënë këto zgjedhje, pa u bë i pandalshëm procesi i heqjes së vizave”, u shpreh Kryeministri.

 

Më gjerë në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Kryefjala e kësaj mbledhjeje nuk mund të jetë tjetër veçse vendimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe detyrimet tona, si qeveri, ndaj këtij vendimi historik. Vendimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët përbën arritjen më madhore në historinë e këtij vendi, pas shpalljes së pavarësisë dhe anëtarësimit në NATO; përbën vendimin më fisnik, më miqësor që kombet e qytetëruara e të zhvilluara të Europës marrin ndaj kombit shqiptar; përbën vendimin më të shumëpritur në tërë historinë tonë. Një komb që ka vuajtur izolimin dhe pasojat e tmerrshme të tij, më shumë se çdo komb tjetër, një komb që pothuajse për 45 vite u rrethua nga të katër anët me tela me gjemba e bunkerë, që u shkëput tërësisht nga trungu i vet, me heqjen e vizave arrin realizimin e një ëndrre më të bukur e kryesore të tij.

 

Në këtë kontekst, duhet të shprehim mirënjohjen më të thellë ndaj Komisionit Europian dhe të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian për këtë akt madhor, miqësor, fisnik dhe historik ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Nga ana tjetër, sot, ne mund të shohim më drejt se kurrë në sy çdo shqiptar, sepse ishin reformat e kësaj qeverie ato, të cilat shndërruan në realitet këtë vendim historik. Siç do të shprehej komisionerja Malstrom në deklaratën e saj para mediave, Shqipëria ka arritur rezultate shumë të rëndësishme, prekëse, impresionuese të në gjitha fushat, të cilat bënë të mundur këtë vendim.  Ka qenë një vendim i prerë dhe përfundimtar i yni që të procedojmë me reformat, t’i zbatojmë dhe shndërrojmë ato në një realitet të madh për shqiptarët.

 

Heqja e vizave është rezultat i luftës me tolerancë zero ndaj krimit dhe korrupsionit. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar bëri që në një kohë rekord Shqipëria, vendi më i pasigurt në Europë, të ketë tregues kriminaliteti nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Çdo shqiptar duhet të shprehë mirënjohjen e tij ndaj platformës të tolerancës zero, por edhe ndaj guximit, trimërisë, profesionalizmit, sakrificës edhe sublime të anëtarëve të forcave të rendit, Policisë së Shtetit, të shërbimeve inteligjente, të prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilat shpartalluan njëra pas tjetrës bandat më të rrezikshme të Europës, që sundonin qytete, kontrollonin kufirin dhe institucionet e këtij vendi.

 

Ata, të cilët qortojnë se pse tani dhe jo më parë, mund t’u them se muri i krimit që ngritët jo vizat, por po mbyllte tërësisht dyert e Europës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe. Mund t’u them se 8 vite me radhë kënduat këngën dhe ison e certifikatave dhe nuk ishit në gjendje të prodhonit një pasaportë apo kartë të vetme biometrike.

 

Nuk ka pasur proces më të vështirë për ne, sesa të bindnim të tjerët. Ky ka qenë një proces shumë i vështirë, pasi e vërteta është se ka pasur shumë përçudnira që kanë nxirë imazhin dhe përshtypjet për këtë vend dhe komb. Dhe këto nuk mund t’i injorojmë. Në një kohë kur fqinjët tanë lëviznin të lirë, pa viza në të gjithë Europën, ne rrethonim kufijtë me tela me gjemba.

 

Heqja e vizave është rezultat i luftës serioze që i bëmë korrupsionit. Nuk ka pasur proces më të vështirë, sesa të arrish rezultatet që janë arritur dhe të bindësh të tjerët për këto rezultate. Por fakt është se reformat tona kanë funksionuar dhe do të funksionojmë edhe më shumë. Ne nuk kemi thënë ndonjëherë se do të çrrënjosim korrupsionin, se, për fatin më të keq, kjo është një sëmundje e tmerrshme që nuk çrrënjoset dot. Siç e shihni ai nuk kursen askënd, ndaj tij nuk ka imunitet, por në mënyrën më serioze dhe vullnet të hekurt, ne i kemi faktuar shqiptarëve dhe botës sukseset e luftës kundër korrupsionit. E kam thënë më parë dhe e ritheksoj se renditja e Shqipërisë e dyta në Europë dhe Amerikën e Veriut për përgjegjshmërinë e administratës, transparencës, bazuar në një projekt, atë të prokurimeve elektronike, por e para në botë që ka kompletuar prokurimet elektronike 100 përqind, përbën një histori të vërtetë suksesi, përbën një shembull frymëzues për të gjithë administratën, sikundër edhe për këdo që është i vendosur të luftojë korrupsionin.

 

Heqja e vizave është rezultante e reformave të thella që ne bëmë për gjendjen civile dhe dokumentet e identitetit të qytetarëve. Këto reforma mund të ishin bërë edhe 7 apo 5 vite më parë, për këtë nuk ka pasur pengesa, por nuk ka pasur dëshirë dhe vullnet për to. Njerëzit, që 20 vite më parë u dyndën në det, në kërkim të tokës së premtuar, së shpejti do të lëvizin me pasaportat biometrike të cilësisë më të lartë, në kontinentin e Europës.

 

Por një faktor është emëruesi i përbashkët i këtyre reformave dhe qëndron në bazë të gjithë këtij suksesi dhe ky është shteti ligjor dhe funksionimi i tij. Shteti ligjor qëndron në bazë të suksesit të luftës kundër krimit të organizuar. Shteti ligjor qëndron në bazë të luftës së suksesshme kundër korrupsionit. Shteti ligjor qëndron në bazë të të gjitha reformave, por, mbi të gjitha e para së gjithash, në zgjedhjet e lira e të ndershme që zhvilluam. Zgjedhjet janë dëshmia më e shkëlqyer e funksionimit të shtetit ligjor në këtë vend. Këto zgjedhje nuk ishin të përsosura, por kanë disa standarde unike në botë. Standard unik është procesi i numërimit, është konstatimi se nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultateve, as edhe numërim të parregullt, është seti elektronik i procesit të numërimit, e drejta e vetos e çdo të pranishmi në këtë proces. U bënë këto zgjedhje, pa u bë i pandalshëm procesi i heqjes së vizave. Ishin këto zgjedhje, ato që bënë që të dështonte çdo përpjekje për pengimin e procesit të heqjes së vizave. Në këtë proces, duke shprehur mirënjohjen më të thellë për vendimin e marrë, qëndroj sërish, absolutisht, i palëkundur në vendimin dhe qëndrimin tim e të kësaj qeverie që çdo gjë duhet të jetë e bazuar në meritën dhe performancën e saj. Ne duhet të meritojmë besimin, bujarinë dhe mbështetjen e të tjerëve, duke konsoliduar në vend shtetin ligjor dhe standardet që ato vende u kanë afruar qytetarëve të tyre.

 

Por edhe pas zgjedhjeve, shteti ligjor funksionoi si në një ndër vendet me demokraci më mature. Ndonëse e papëlqyeshme, por prova e shtetit ligjor në këtë vend ishte plotësisht e suksesshme. Shteti ligjor përballoi të gjitha platformat e shpallura gjatë këtij viti, trockiste, guevariste dhe çdo platformë tjetër, njoh rezultatin, por nuk njoh institucionet, nuk njoh parlamentin, apo tipike enveriste, t’u biem institucioneve të borgjezisë. Vendi njohu 19 ditë, kampusin midis godinës së kryeministrisë dhe parlamentit. U respektua tërësisht e drejta e kundërshtarëve për të protestuar. Kjo predominoi mbi çdo gjë dhe do të respektohet. Në mënyrë të përditshme, u mbajtën fjalimet më histerike. Shteti ligjor funksionoi. U tentua të bllokohen akset e rrugëve, por rrugët u hapën, pasi ato janë të publikut.

 

Në të gjithë këtë përcaktueshmëri të qartë të zbatimit të ligjit, si interesi më jetik për çdo qytetar shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij politike, nuk u ndërprerë asnjëherë, përveçse gjatë periudhës së kampusit, dialogu. Dyert e dialogut me opozitën mbeten të hapura. Por një gjë do t’i kërkoj sot, kryetarit të opozitës. Në interesin e tij më të mirë, të heqë syzet e së shkuarës, me të cilët lexon mesazhet e miqve dhe institucioneve ndërkombëtare. E bëri ketë me Këshillin e Europës dhe ju jeni dëshmitarë, se nga zulmitar i madh, që lartësoi zulmin e rezolutës së Këshillit të Europës, më pas, me qëndrimet që mbajti, e shpalli një letër pa vlerë. Unë garantoj edhe një herë qytetarët shqiptarë se institucionet europiane janë në sintoni të plotë në qëndrimet e tyre. Ndaj zoti Rama, më mirë lexoi me realizëm, se kjo do të bëjë të mundur të përfitosh maksimalisht ato që ti mendon se të takojnë, por jo gjithçka. Kurse me daljet e tua, që nga Strasburgu, se u dha një ultimatum, po t’u them shqiptarëve se si u mbyll Strasburgu, çka një ditë do ta them se është në interesin e tyre, por po t’u faktoj se si u mbyll Strasburgu, duhet të rishqyrtojë pak veten. Është shumë e thjeshtë të dalim e të mbajmë konferenca shtypi e të themi ato që nuk janë. Kjo është shumë e thjeshtë, por nuk është serioze. Këtë nuk e kam bërë, kam toleruar, se më takon të toleroj. Por kam qartësuar dhe i siguroj shqiptarët se nuk është kërkuar dhe nuk kërkohet asgjë që bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet dhe vendimet e gjykatave të këtij vendi. Institucionet europiane janë në sintoni të plotë në qëndrimet e tyre. Hiqi nga koka ultimatumet. Nuk mund të ekzistojnë ultimatume, edhe në qoftë se ndonjë qëndrim ekzotik dhe kur them ekzotik, them tepër i rrallë, duhet ta hedhësh poshtë, kur ta thotë kush në vesh, sepse Europa është për shtetin ligjor. Atë kërkon ajo nga unë, nga ti, nga çdo qytetar. Harroje se në Europë mund të kuptohesh kur thua se nuk pranoj pikën ‘x’ apo ‘y’ të një ligji, sepse koha, kur në këtë vend qëndrohej mbi ligjin, është koha më e zezë e këtij vendi. Ne përkulemi para ligjit, ulim kokën para ligjit, pavarësisht nga karrigia, ku ulemi. Ky është morali.

 

Ndaj, duke mbetur absolutisht i hapur për dialog dhe kjo jo për shkaqe personale, por për parime të mëdha, për obligimin që një qeveri ka për të respektuar opozitën, për obligimin që një demokrat ka për të respektuar kundërshtarin, të cilin nuk e vendos kurrë në kuadratin e armikut, mos dil t’u thuash qytetarëve gjëra që nuk janë, sepse është shumë e thjeshtë të faktohet e kundërta. Më mirë, përfito nga dialogu, përfito nga vullneti i kësaj qeverie, e cila, për të shpëtuar faqen tënde, ka vendosur jashtë çdo lloj tagri, të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar, pa asnjë detyrim ligjor, ka vendosur për të njëjtin motiv të të japë shumicën, por jo ligjore, se këtë nuk e lejon ligji, por shumicën në votim, duke bërë një truk, të të japë njëkohësisht edhe kryetarin dhe këtë e ka bërë me qëllimin më të mirë, për të të vlerësuar si opozitë, të të japë të drejtën ekskluzive, që nuk ka ndodhur kurrë në këtë vend dhe në asnjë vend tjetër, të hartosh të gjitha amendamentet për zgjedhjet e reja dhe maxhoranca t’i votojë ato pa kushte, vetëm pasi të merret një opinion nga Komisioni i Venecias apo ODHIR. Të gjithë këto bëhen, sepse kjo maxhorancë nuk ka në konceptin e saj kundërshtarin-armik, por ka në konceptin e saj kundërshtarin-kundërshtar, me të cilin përballesh, por edhe merresh vesh, me të cilin ke kundërshti, por bën edhe kompromis, për nevoja dhe interes të vendit.

 

Dua të siguroj qytetarët shqiptarë se procesi i heqjes së vizave është një proces i pandalshëm dhe se ne, në këtë proces dhe në çdo proces tjetër, nuk kërkojmë asgjë tjetër veç asaj që meritojmë. Ky është qëndrimi ynë më serioz, më i vendosur. Faleminderit.”


02/06/2010

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave