Të ndërmerren masa si ndalimi i përdorimit të qeseve plastike, në favor të përdorimit të qeseve të letrës, si edhe për shishet plastike, edhe nëpërmjet përcaktimit të stimujve për arritjen e këtij qëllimi.
Kryeministri Berisha kërkoi sot në mbledhjen e qeverisë marrjen e masave të menjëhershme për pastrimin e zonave turistike nga papastërtitë, mbetjet dhe nga automjetet e dala jashtë përdorimit, të mbetura në anë të rrugëve.
“Gjendja e papastërtisë, - u shpreh Kryeministri - në prag të sezonit turistik është e jashtëzakonshme dhe kjo kërkon një ndërhyrje emergjente, me të gjitha mjetet, për të pastruar me shpejtësi të gjithë zonën turistike. Ministri i Mjedisit ka sjellë një dokument shumë të hollësishëm, ku paraqitet një gjendje tmerrësisht e papranueshme në zonat tona kryesore turistike. Një gjendje që nuk i nderon aspak autoritetet vendore të këtyre zonave, të cilët kanë detyrë kryesore mirëmbajtjen e tyre. Por nuk mund të rrimë të bëjmë debate me ta, por sëbashku me ta do të angazhohemi të pastrojmë zonat dhe jo vetëm plazhet, por të gjithë Shqipërinë nga çdo hedhurinë automjeti. Nuk ka vend në botë që të jetë i mbytur me automjete të ndryshkura si ky vend.”
Kryeministri bëri të ditur se brenda kësaj jave do të ngrihet një Task Force që do të përcaktojmë të gjitha modalitetet e tërheqjes dhe grumbullimit të tyre në një vend të vetëm, do të përcaktojë sanksionet më të rënda për të gjitha ata që hedhin automjetin e tyre në anë të rrugës apo kudo, ku nuk duhet hedhur. “Do të bëhet një hetim shumë i rreptë - tha Kryeministri - dhe do të përcaktohen sanksione ligjore shumë të rënda, sepse në këtë mënyrë ne bëjmë figurën më të shëmtuar”.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se është e domosdoshme të ndërmerren masa të tilla si ndalimi i përdorimit të qeseve plastike, në favor të përdorimit të qeseve të letrës, si edhe për shishet plastike, edhe nëpërmjet përcaktimit të stimujve për arritjen e këtij qëllimi.
“Zoti ministër i Mjedisit, duhet të konsiderohet në mënyrë shumë serioze ndalimi i përdorimit të qeseve plastike dhe kalimi tërësisht tek letra. Këtë e kanë bërë disa vende, Franca etj, deri edhe Ruanda. Të përcaktojmë një datë, përtej të cilës nuk do të mund të përdoren më qeset plastike, por të zëvendësohen me qese letre. Letra degradon, kalbet dhe kjo ka qenë arsyeja që shumë vende kanë vendosur këtë masë. Natyrisht, do të jepet kohë për nisjen e kësaj mase. Së dyti, do të përcaktohet mekanizmi i trajtimit të shisheve. Deri sa të arrijmë në kulturën që shqiptarët të bëjnë ndarjen e mbeturinave, duke i hedhur në kosha të veçantë, të vendosim një stimul për përdorimin e shisheve. Kjo bëhet me detyrimin e atij që shet me shishe, për t’i kthyer blerësit shumën e mbajtur, kundrejt kthimit të shishes të qelqit, sikundër të shihet edhe për shishet plastike. Së treti, të kufizojmë në maksimum, përveçse për qëllime të serave, përdorimin e plasmasit, kudo që të jetë e mundur. Të përcaktojmë kushte për fermerët, edhe me një stimul, sesi duhet të veprojnë për plasmasin që përdorin, të cilin e ndërrojnë pas një viti dhe e hedhin. Të përcaktojmë edhe bonuse, në mënyrë që t’i dorëzojnë aty, ku do të dorëzohen edhe shishet plastike. Gjë e cila ka filluar. Ekzistojnë dy qendra që bëjnë riciklimin e tyre dhe ne mund t’i stimulojmë ato. Task Force të përcaktojë edhe buxhetin që nevojitet, të hartojë vendimin e qeverisë për të, ndërhyrjen urgjente në të gjithë territorin e vendit për makinat e prishura dhe për pastrimin e zonave turistike”.
21/04/2010