Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Rindėrtimi i sheshit Skėnderbe kėrkon bashkėpunim tė ngushtė mes qeverisė qendrore dhe autoriteteve vendore
 

- Pas kërkesës së Kryeministrit, gjatë vizitës në Kuvajt, Emiri i Kuvajtit ka vendosur që në formë dhurate të dyfishojë fondin për sheshin “Skënderbe”, nga 5 në 10 milion euro.

- Sheshin duhet ta shndërrojmë në një gjë shumë të veçantë për qytetarët e Tiranës dhe t’u dëshmojmë atyre se për sheshin nuk kursejmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën.

 

- Tre janë çështjet që ministri i Punëve Publike dhe Transportit duhet të diskutojë me kryetarin e bashkisë së Tiranës: trafikun; ligjshmërinë dhe ndërmarrjen e një diskutimi të gjerë për projektin e sheshit

 

Kryeministri Berisha i kërkoi sot ministrit të Punëve Publike dhe Transportit të vendosë një takim me kryetarin e bashkisë së Tiranës për të diskutuar problemin e sheshit “Skënderbe”.

 

Duke sjellë këtë çështje të rëndësishme në vëmendje të qeverisë dhe mediave, Kryeministri Berisha tha se shqyrtimi i kësaj çështjeje me autoritetet vendore është i domosdoshëm dhe kërkon një trajtim tepër serioz, për shkak të disa problemeve që dalin nga zbatimi i projektit për rindërtimin e sheshit Skënderbe. Kryeministri identifikoi tre probleme kryesore, të cilat duhet të shtrohen për diskutim me autoritetet vendore të bashkisë së Tiranës:

 

Së pari, problemi i trafikut, pasi projekti i ri, që përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht, trafiku, do të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë.  

 

Së dyti, problemi i ligjshmërisë, pasi sheshi Skënderbe trajtohet si ansambël i trashëgimisë kulturore dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore ka paraqitur disa vërejtje serioze në lidhje me projektin e rindërtimit.

 

Së treti, është ndërmarrja e një diskutimi të gjerë me qarqet e specializuara, katedrat e universiteteve, me qytetarë, analistë, në interesin më të mirë të planit dhe projektit. Në këtë pikë, Kryeministri ngriti shqetësimin e paqartësisë së vendndodhjes së monumentit të heroit kombëtar, Skënderbeut.

 

Kryeministri informoi se Emiri i Kuvajtit ka vendosur që në formë dhurate të dyfishojë fondin për sheshin “Skënderbe”, nga 5 në 10 milion euro, për të cilën Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë.

 

Ndërtimi i sheshit, tha Kryeministri, kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis autoriteteve qendrore dhe vendore. Duke kërkuar që sheshi të mos përdoret për kapital politik, Kryeministri u shpreh se shpresonte që bashkia t’i përgjigjej kërkesës për bashkëpunim të qeverisë. “Sheshin, - tha Kryeministri - duhet ta shndërrojmë në një gjë shumë të veçantë për qytetarët e Tiranës dhe t’u dëshmojmë atyre se për sheshin nuk kursejmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën”.

 

Më tej, lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Zoti ministër i Punëve Publike dhe Transportit është e domosdoshme që të vendosësh një takim me kryetarin e bashkisë së Tiranës, për të diskutuar e shqyrtuar problemin e sheshit “Skënderbe”.

 

Gjatë vizitës sime në Kuvajt, unë kërkova shtimin e ndihmës për sheshin dhe sot në mëngjes kam pritur të dërguarin e Emirit të Kuvajtit, i cili më informoi se Emiri i Kuvajtit ka vendosur që në formë dhurate të dyfishojë fondin për sheshin “Skënderbe”, për të cilin do jenë disponibël jo 5 milion, por 10 milion euro. Ky është një gjest bujar, për të cilin qytetarët e Tiranës dhe qeveria do t’i jenë shumë mirënjohës Lartësisë së tij, Emirit të Kuvajtit dhe qeverisë së tij.

 

Çështja e sheshit duhet të trajtohet në mënyrën më serioze. Gjatë vizitës sime në Bruksel, unë prita në një takim, me kërkesën e tyre, përfaqësuesit e studios që ka bërë projektin e planit të qendrës së Tiranës. Ajo është një studio realisht serioze dhe ata janë arkitektë të talentuar. Ata donin të më paraqisnin planin, por, natyrisht, unë i sqarova se apriori nuk kam asnjë kundërshtim për rindërtimin e sheshit “Skënderbe” dhe se e konsideroja të panevojshme që të ndalesha tek plani i tyre, por të domosdoshme tek disa probleme më kryesore, ndër të cilat do të veçoja të parën çështjen e trafikut. Edhe arkitektët ishin dakord me mua, që Tirana problemin më kryesor ka atë të trafikut. Punimet për mbështetjen e trafikut kanë qenë qartësisht shumë më të pakta, sesa punimet që kanë bllokuar trafikun apo kanë krijuar probleme në trafik. Kjo disbalancë e ka bërë trafikun një proces shumë të vështirë për qytetin e Tiranës. Projekti i ri që përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht, trafiku, do të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë.

 

Zoti Rama bëri sot eksperimentin e parë, ndonëse e bëri në kundërshtim me këshillën e specialistëve më të mirë të qarkullimit rrugor dhe u krijua një bllokim i përgjithshëm. Sot, njerëzit mbetën kohë të tëra në trafik. Mijëra vogëlushëve iu shtuan rrahjet e zemrës, pasi nuk po arrinin dot në shkollë për mësimin, punonjësit nuk po arrin në punë. U krijua një katrahurë e vërtetë e paparashikueshme për çdo njeri, që kërkon të ndalet dhe të arsyetojë, qoftë edhe në minimum.

 

Ideja se trafiku do të zgjidhet me unazën, sipas asaj që thotë zoti Rama, është absurde. Me një by pass, me dy korsi, nuk bën gjë tjetër, veçse krijon grykën e shishes në trafik, nga e cila nuk dilet dot. Ndërkohë që studimi ka qenë me 5 korsi. Pa diskutim, që trafiku zgjidhet me një sistem unazash, por jo me unaza fiktive, përkundrazi me unaza që ekzistojnë, që duhet t’i ndërtosh. Me idenë e tyre do të kishte një unazë midis unazës së vogël dhe asaj ekzistuese dhe unë nuk jam kundër ndërtimit të saj, sado që të kushtojë. Kjo, pa diskutim, që duhet të jetë përparësia më e parë. Përndryshe ua nxin jetën qytetarëve. Të ndërtosh atë unazë, duhen shuma kolosale, megjithatë unë nuk jam kundër. Por nuk duhet të themi se kemi unazë, kur nuk e kemi, pasi faturën e paguajnë qytetarët. Ndaj duhet ulur me të dhe të merret në mënyrën më serioze problemi.

 

Së dyti, problemi tjetër shumë i rëndësishëm që duhet të diskutoni me kryetarin e bashkisë është ai i ligjshmërisë. As Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe as Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës (KRRTRSH) nuk ka asnjë tendencë për të bllokuar rindërtimin e sheshit. Por përcaktimet e Institutit të Trashëgimisë Kulturore janë të detyrueshme për bashkinë, për qeverinë, për KRRTRSH-në. Për derisa vetë zoti Rama ka hartuar vendimin dhe ka bërë mirë, të trajtimit të sheshit si një ansambël të trashëgimisë kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në çdo vend të botës, zëri më kryesor është ai i Institutit të Trashëgimisë Kulturore apo entit të trashëgimisë kulturore. Kjo është universale dhe jo specifikë shqiptare. Instituti ka arsyetuar shumë drejtë. Bulevardi nuk mund të pritet më një kullë, sepse vijimësia e bulevardit është një nga tiparet kryesore të këtij ansambli. Instituti, gjithashtu, ka arsyetuar shumë drejtë, kur thotë se nuk mund të bëhet sheshi piramidë dhe ka sugjeruar një pjerrësi që lejon edhe rrjedhjen e ujërave, edhe respekton identitetin e sheshit, çka jua bëra të ditur edhe arkitektëve belgë. Ne e kemi një piramidë dhe unë kam presione të jashtëzakonshme, kërkesa të panumërta për ta shembur. Ajo u kujton shqiptarëve njeriun më barbar të historisë kombëtare. Të ndërtosh një piramidë tjetër në shesh, kjo është e papranueshme për psikologjinë e shqiptarëve. Ajo mund të kënaqë një grup enveristësh, por sheshi nuk është i një grupi, por i të gjithë shqiptarëve.

 

Çështja e tretë që do të diskutohet sëbashku me autoritetet vendore është ndërmarrja e një diskutimi të gjerë. Bërja e një diskutimi të gjerë me qarqet e specializuara, katedrat e universiteteve, me qytetarët, me analistët është në interesin më të mirë të planit dhe projektit. Askush nuk duhet të ketë frikë nga diskutimi. Përkundrazi. Edhe arkitektët ishin plotësisht dakord me mua. Unë mund të them se ishte skandaloze, kur shtrova pyetjen se për çfarë duhej parkimi prapa Teatrit të Operas, kur sheshi është planifikuar të jetë për këmbësorë. Por pyetjes sime iu përgjigjen me habi se nuk ishte parkim. Ndërkohë që këshilltari apo arkitekti kryesor i bashkisë së Tiranës së zotit Rama, në mënyrën më të papërgjegjshme do të deklaronte tre herë në një emision se ajo godinë është garazh. Në këtë mënyrë nuk lejohet të ndërtosh as në oborrin e shtëpisë tënde në qytet, jo më në sheshin e qytetit. Dhe ndërtesa prapa Teatrit të Operas ishte Pallat Kongresesh. Nëse duhet apo jo një pallat tjetër Kongresesh, kur e kemi një të tillë, kjo të diskutohet. Por duke shfrytëzuar studiot televizive, Pallati i Kongreseve ju servir qytetarëve shqiptarë, jo me një xhahil, se Artan Shkreli nuk është xhahil, por është ai që është dhe ka atë moral që ka,  për garazh. Por unë, i bindur tërësisht se ai po thotë një të vërtetë, i pyes arkitektët për qëllim e këtij garazhi. Ndaj duhet të bëhen diskutime të gjera, me qetësi. Sheshi mund të ndryshohet, fondet u dyfishuan dhe për këtë, mirënjohja e thellë shkon për qeverinë e Kuvajtit dhe sërish po të jetë nevoja, shtojmë fonde.

 

Së fundi, dua të ndalem edhe tek çështja e monumentit të Skënderbeut. Nuk më duket e drejtë që ne të heqim nga sheshi qendror monumentin e heroit kombëtar. Skënderbeu është realiteti më i madh historik dhe shpirtëror i shqiptarëve, është personaliteti më i shquar i tyre. Shqiptarët nuk përjetojnë asgjë më shumë nga historia e tyre, sesa me nderimin e tij, aq sa shpesh flasin me një pasion të tillë, sikur ai të ketë qenë prijësi i tyre 30 apo 50 vjet më parë. Sheshi sigurisht do të mbajë emrin e tij, pasi është e domosdoshme që emri i Skënderbeut të shqiptohet mijëra apo edhe miliona herë në ditë, sa herë qytetarët t’i referohen sheshit. Nuk mund të them se ku, në konstruksionin e ri, duhet të përcaktohet vendi për monumentin e tij. Ne lobojmë në kryeqytetet apo qytetet e botës për të vendosur monumentin e tij. Shqiptarët kudo e kanë atë çështje të parë me autoritetet, por tani nuk mund ta vendosim nën hije e ta nxjerrim sikur nuk ishte i yni. Skënderbeu është figura qendrore e historisë sonë kombëtare, që më shumë se kushdo tjetër, më shumë së çdo gjë tjetër, përveç gjuhës, ka ruajtur dhe mbrujtur identitetin kombëtar të shqiptarëve. Ne kemi pasur periudha të vështira dhe periudha heshtjesh e gjumi të gjatë në historinë tonë. Pas vdekjes së Skënderbeut deri në Lidhjen e Prizrenit, përveç bejteve të Hasan Zyko Kamberit e të ndonjë tjetri, librave të përkthyer apo dokumenteve liturgjike, kemi heshtje të madhe. Dhe kemi Skënderbeun, veprën dhe kujtimin e tij. Ndaj edhe çështje e vendosjes së monumentit të heroit kombëtar, Skënderbeut duhet të diskutohet me kryetarin e bashkisë dhe autoritetet vendore. Njerëzit lëndohen nga kjo, pasi Skënderbeu është figura, personaliteti më i nderuar kombëtar i shqiptarëve dhe i nderuar me distancë të madhe.

 

Ndaj, do të uleni së bashku me autoritetet vendore t’i shqyrtoni këto çështje. Bën gabim të madh, nëse mendon se konfliktualiteti dhe imponimi i qeverisë për të vendosur ligjin i intereson atij, përkundrazi nuk i intereson aspak. Sheshin nuk duhet ta bëjmë mollë sherri. Sheshin duhet ta shndërrojmë në një gjë shumë të veçantë për qytetarët e Tiranës dhe t’u dëshmojmë atyre se për sheshin nuk kursejmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën. Sheshi Skënderbe është balli i vendit. Këtë çështje e konsideroj shumë të rëndësishme dhe shpresoj që edhe bashkia t’i përgjigjet. Bashkia e bëri eksperimentin sot me trafikun dhe e pa se çfarë krijoi në trafik. Ndaj të mos bëjë kapitale politike për asgjë, por të ndërtojmë sheshin. Edhe studio e projektimit është e gatshme dhe e hapur për debat dhe e mirëpresin atë. Ashtu siç mund të them se në mënyrë absolute, ishte konkluzion përfundimtar që ndërtimi i sheshit kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis autoriteteve qendrore dhe vendore.”    


21/04/2010

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave