Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha e konsideron tė dėnueshme dhe antidemokratike kėrkesėn e PS pėr sfidimin e kredencialeve tė delegacionit shqiptar nė Asamblenė Parlamentare tė KE
 

Sfidimi i kredencialeve të delegacionit shqiptar është kërkesë de facto për përjashtimin e Shqipërisë nga ky forum evropian. Kjo përbën kërkesën më të dënueshme, më antishqiptare dhe më antidemokratike të formuluar gjatë këtyre 15 viteve ndaj Shqipërisë.

 Komisioni i procedurës i dha goditjen e merituar dhe fatale bojkotit dhe dëshmoi se tempulli i demokracisë nuk shpërblen dhe nuk mund të shpërblejë në asnjë rrethanë bojkotin, dëshmoi se bojkoti nuk kalon në institucionet demokratike.

Është në dinjitetin e kësaj force politike të kërkojë ndjesë publike për veprimin që ka bërë.

 

Kryeministri Berisha u bëri sërish thirrje deputetëve të Partisë Socialiste të hyjnë në parlament, duke i garantuar për një bashkëpunim luajal, në respekt të plotë të rolit të tyre në parlament.

 

Kryeministri Berisha e konsideroi një akt të dënueshëm dhe antidemokratik kërkesën e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit shqiptar, i cili ndodhet në Strasburg për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Duke komentuar në mbledhjen e qeverisë kërkesën e PS-së, Kryeministri Berisha u shpreh se ky është akti më antidemokratik dhe i paprecedent në historinë 15 vjeçare të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europën dhe tempull i demokracisë europiane, duke e cilësuar atë si një kërkesë de facto për përjashtimin e Shqipërisë nga ky forum.

 

“Komisioni i procedurës i dha goditjen e merituar dhe fatale bojkotit dhe dëshmoi se tempulli i demokracisë nuk shpërblen dhe nuk mund të shpërblejë në asnjë rrethanë bojkotin, dëshmoi se bojkoti nuk kalon në institucionet demokratike,” u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se është në dinjitetin e kësaj force politike të kërkojë ndjesë publike për veprimin që ka bërë.

 

Kryeministri Berisha u bëri sërish thirrje deputetëve të Partisë Socialiste të hyjnë në parlament, duke i garantoi për një bashkëpunim luajal, në respekt të plotë të rolit të tyre në parlament.

 

Pasi argumentoi prezencën e zotit Islami në delegacionin shqiptar, Kryeministri Berisha informoi gjithashtu mbi qëndrimin e qartë kundër bojkotit që përfaqësuesit e së majtës europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë mbajtur në takimet me delegacionin e Partisë Socialiste. Duke cituar përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Polonisë dhe Estonisë, Kryeministri tha se qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, duke e konsideruar bojkotin të rrezikshëm dhe jo një mënyrë me të cilën punohet në Europë.

 

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Dy ditët e shkuara, në Strasburg, patën zhvillimet më të jashtëzakonshme në historinë e tempullit më të hershëm të demokracisë europiane, të pas Luftës së Dytë Botërore, Këshillit të Europës. Për herë të parë në historinë e gjatë të këtij institucioni, i themeluar, para së gjithash dhe mbi të gjitha, mbi shtyllën e zgjedhjeve të lira, përfaqësues të një vendi kërkojnë përjashtimin de facto të vendit të tyre nga Këshilli i Europës, pas 15 vitesh anëtarësimi. Kjo përbën kërkesën më të dënueshme, më antishqiptare dhe më antidemokratike të formuluar gjatë këtyre 15 viteve ndaj Shqipërisë. Këtë kërkesë nuk e formuluan grupe marksiste-leniniste, nuk e formuluan grupe guerile apo terroriste, por e formuloi udhëheqja e partisë politike kryesore opozitare në vend dhe unë do t’u lexoj shqiptarëve të vërtetën e kërkesës.

 

Delegacioni i parlamentit shqiptar, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, do të duhej të merrte kredencialet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ashtu siç është rregulli për çdo delegacion parlamentar, pas zgjedhjeve të përgjithshme. Në përputhje të plotë me ligjet dhe rregullat e vendit, kryesia e parlamentit dorëzoi përbërjen e delegacionit. Meqenëse opozita nuk ishte në parlament, i vetmi person që mund të dërgohej në delegacion ishte zoti Kastriot Islami. Kjo sepse zoti Islami kishte në fuqi të plotë kredencialet e qenies së tij anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe natyrisht, do t’i takonte Asamblesë të merrte një vendim për ripërtëritjen apo jo. Edhe sikur të mos dërgohej emri i tij, zoti Islami i kishte dyert e hapura, sepse ai kishte mandatin e Asamblesë Parlamentare. Për më tepër, zoti Islami, i përzgjedhur nga kjo Asamble, në mënyrë të pavarur dhe absolutisht pa asnjë rekomandim të kësaj qeverie, në një pozicion jashtëzakonisht delikat si raportues për Gjeorgjinë, për zonën më të nxehtë në të gjithë hapësirën e Këshillit të Europës. Dërgimi i tij në mënyrë kategorike nuk u bë as për diversion, as për sfidë ndaj Partisë Socialiste, por  u bë se ai është anëtar i kryesisë së PS-së dhe se ishte i vetmi nga PS-ja që kishte kredenciale në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në 4 vitet që shkuan, Partia Socialiste është përfaqësuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës vetëm me zotin Islami, sepse vendin tjetër ia dhanë vullnetarisht zotit Milo. Pra, ky ishte qëndrimi i kryesisë së parlamentit dhe parlamentit shqiptar ndaj  opozitës.

 

Udhëheqja politike e Partisë Socialiste, në një akt të paprecedentë në historinë e Këshillit të Europës dhe në historinë 15 vjeçare të Shqipërisë, i shkruan një letër, ku i drejtohet të gjitha grupeve parlamentare të Këshillit të Europës dhe kjo letër mbyllet: “Bazuar në nenin 7 të rregullores së procedurës, ne sfidojmë kredencialet e një anëtari të delegacionit” - kjo është gjuha e letrës dhe bëhej fjalë për zotin Kastriot Islami, më pas vijon: “bazuar në nenin 8 të rregullores së parlamentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ne sfidojmë kredencialet e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.” Sfidimi i kredencialeve është kërkesë de facto për përjashtimin e Shqipërisë nga ky forum europian. Kjo është njëra anë, ana e zezë e medaljes, por ana tjetër, është faqja e ndritur dhe e artë e saj. Vërtet u gjet një person, i cili mori përsipër apo u bë mesazher i kësaj kërkese, por fakt është se zhvillimet e mëpasshme bënë që edhe vetë ky zotëri të votojë, në unanimitet dhe si një akt përgjegjësie, për kredencialet e delegacionit shqiptar, të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme. Komisioni i procedurës i dha kështu goditjen e merituar dhe fatale bojkotit dhe dëshmoi se tempulli i demokracisë nuk shpërblen dhe nuk mund të shpërblejë në asnjë rrethanë bojkotin, dëshmoi se bojkoti nuk kalon në institucionet demokratike. Atyre që bënë letrën u mbetet si një dëshmi e paprecedentë dhe tmerrësisht e rëndë e ndaj qëndrimit dhe interesit vetjak, shoqëror dhe kombëtar të çdo shqiptari. Por kjo tregon se këtyre zotërinjve nuk u dridhet dora për të kërkuar dënimin e Shqipërisë. Dhe kjo sepse u duhet karrigia. Unë nuk kam pasur dhe nuk kam dyshim se në Europë dhe në botë nuk ka dhe nuk mund të ketë njerëz të lirë, nuk ka dhe nuk mund të ketë institucione dhe qeveri demokratike, të cilat të mund të shpërblejnë bojkotin. Bojkoti nuk shpërblehet.

 

Sot ka edhe zhvillime të tjera shumë të rëndësishme, që vijnë po nga Strasburgu. Socialistët europianë në Stransburg i kanë përcjellë delegacionit të Partisë Socialiste këto mesazhe, për të cilat me hollësi do të raportoi media.

 

Përfaqësuesi polak deklaroi se bojkoti është i rrezikshëm dhe një vendim kontradiktor. Duke mos shkuar në parlament, ju nuk bëheni dot pjesë e delegacioneve. Ju i keni ndryshuar shpesh kryetarët dhe e majta sa vjen e po bëhet më e dobësuar.

Kjo, sepse aty ka pasur disa dokumente. Një prej tyre ka qenë një dokument i dërguar nga zonja Topalli, e cila ka qartësuar të gjithë të vërtetën. Po ashtu ka pasur dokumente të prezantuara nga Lëvizja e Mendimit Ndryshe në PS, etj..

 

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe i thotë zonjës Dade se bojkoti nuk është mënyra me të cilën punohet në Europë. Duke kundërshtuar rezultatin dhe duke mos pranuar humbjen, zoti Rama është kontradiktor, kur thotë se pranoj rezultatin, por nuk hyj në parlament.

Pranoj rezultatin, por nuk hyj në parlament, do të thotë teoria e revolucionit permanent. Edhe vetë ai e tha në fjalët e fundit. Por kjo është kohë tjetër. Ishte një kohë, kur nga këto vende na vinin aventurierë, të cilët na thoshin se Shqipëria është parajsë e lirisë. Edhe në atë kohë, të tillë njerëz kishin zero influencë në vendet e tyre, por tani Shqipëria është e hapur dhe shqiptarët kanë fituar sensin e vërtetë të lirisë. Kështu edhe në Shqipëri, edhe në Europë janë ekzotika, shumë të rrallë, ata që mendojnë të mbështesin teorinë e revolucionit permanent, të cilët thonë se zgjedhjet i pranojmë, por nuk pranojmë institucionet e dala prej tyre. Një teori kjo e zhvilluar dikur edhe nga Trocki, e marrë dhe e tejmarrë nga grupe aventuriere, të cilët kanë përfunduar që të gjithë, pa përjashtim, qoftë si individë, qoftë si grupe, në koshin e plehrave të historisë.

Përfaqësuesi britanik u thotë se Rama është tepër kontradiktor, kur thotë pranoj rezultatin dhe se nuk hyj në parlament. Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe deklaroi se vlerëson qëndrimin e Blushit dhe Islamit dhe kërkon t’i jepet fund bojkotit dhe forca politike të kthehet në parlament. Ky përfaqësues i lartë i Mbretërisë së Bashkuar u shpreh se nëse Rama është kaq i zoti, të hyjë në garën e ardhshme dhe të fitojë, sikurse bëri Berisha, pas 8 vitesh në opozitë. Imagjinoni, ata më kanë përshkruar mua si diktatorin më të egër, Enverin e paraqisnin si lule para meje. Përfaqësuesi britanik u thotë se ai ishte në opozitë dhe erdhi në pushtet.

 

Për t’i vënë kapak dokrrës së tyre për numërimin e votave, përfaqësuesi i Estonisë, që, fatmirësisht, kishte vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri, deklaroi se vlerësimi për numërimin e keq apo shumë të keq në një të tretën e qendrave të votimit nuk është i saktë, pasi është verifikuar se kjo ka të bëjë me gabime burokratike, por jo me numërimin e votës. Ai u rikujton përfaqësuesve të PS-së se Partia Socialiste nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje, pas atyre parlamentare.

 

Për dijeni të publikut, shefi i delegacionit të PS-së ka deklaruar në këtë takim se bojkotin do ta vazhdojmë, por në parlament do të hyjmë për të mos humbur mandatet.

 

Duke shprehur mospajtimin tim më të madh me kërkesën e tyre, mendoj se është në dinjitetin e kësaj force politike të kërkojë ndjesë publike për veprimin që ka bërë, të kërkojë ndjesë publike, sepse një forcë që beson tek parimet e demokracisë kurrë nuk mund të kërkojë përjashtimin e vendit të vet nga tempulli i demokracisë, pa asnjë arsye ligjore.

 

Sikundër dëshiroj t’u adresohem të gjithë socialistëve shqiptarë se në mënyrë absolute, shumica dërrmuese, për të mos thënë të gjithë socialistët europiane, do të donin që sot, në këtë karrige të ishte një kryeministër socialist, por Europa, e ndërtuar nga e djathta dhe alternanca me të majtën, ka një rregull themelor që qëndron në themel të vlerave të saj dhe ky rregull është respektimi i rregullave të lojës. Rregulli i artë që ka bërë Europën dhe botën e lirë është respektimi i rregullave të lojës. Kur vjen problemi tek kjo alternativë, ata janë një. Unë ju garantoj se nëse delegacioni socialist do të dëgjohej në grupin parlamentar të Partive Popullore Europian në Këshillin e Europës, nuk do të kishte asnjë qëndrim tjetër përveç këtyre qëndrimeve ndaj tyre: mos përdorni bojkotin për të dhunuar rregullat e lojës. Janë bërë një palë zgjedhje të certifikuara universalisht. Më i parëndësishëm apo që nuk ka ndonjë vlerë, në mungesë të dokumenteve, është ai i palëve të interesuara, të gjithë gjykatësit e tjerë janë shprehur. Por në këtë rast është unikale, janë shprehur palët e interesuara, kanë votuar anëtarë dhe komisionerë të Partisë Socialiste. Kush mund të mendojë të budallallepsë forcat demokratike të Europës, të majta apo të djathta? Kjo është absolutisht një mendësi enveriste. Askush nuk mund të imagjinojë se mund t’i marrosësh ato dhe të pranojnë për standard, atë që është antistandard.

 

Sërish iu bëj thirrje socialistëve të kthehen. Nuk ka akt më zhburrëror sesa të thuash po hyj në parlament dhe dal nga parlamenti. Megjithëse ajo është punë e tyre, unë i ftoj të hyj në parlament dhe i garantoj për një bashkëpunim luajal dhe në respekt të plotë të rolit të tyre në parlament. Zgjidhja, ju garantoj se nuk vjen nga askurrkund, sepse nuk ka një njeri të lirë në Europë dhe në botë që mund të kërkojë apo imagjinojë të shpërblehet bojkoti i institucioneve legjitime dhe demokratike, nuk ka njeri të lirë, përveç ndonjë mbetje ekzotike e trockizmit apo marksizëm-leninizmit, që të mund të mendojë se janë problem institucionet e dala nga zgjedhjet e lira dhe jo bojkoti. Nuk ka njeri që mund të ketë as edhe një këshillë apo qëndrim tjetër përveçse pjesëmarrjes në parlament.

 

Këto janë mesazhet që u janë dhënë. Unë edhe një herë shpreh angazhimin dhe ftesën për socialistët shqiptarë, respektin tim ndaj tyre, por mendoj se udhëheqja politike duhet t’u kërkojë të falur shqiptarëve, integrimi i të cilëve në Europë nuk është çështje e Sali Berishës, e liderit socialist apo të tjerëve me radhë, por është arritje e çdo qytetari, e një kombi dhe populli ndër më të shtypurit dikur, që është vendosur në atë tempull.”

 


27/01/2010

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave