Agjentët tatimorë në mbarë Shqipëri do të ndërmarrin hetimin e çmimeve të tregut dhe harta e çmimeve do të dalë mbi bazën e hetimit serioz dhe me përgjegjësi të plotë.
Investitorët duan mbrojtje absolute, ai e merr pronën me dokumente të rregullta, atëherë është shteti shqiptar që i del zot atij.
Kryeministri Berisha kërkoi sot nga ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave të nisin procesin e rishqyrtimit të hartës së çmimit të tokave, duke theksuar se rishikimi i çmimeve do të bëhet pas një vëzhgimi e hetimi serioz e të përgjegjshëm.
“Zoti ministër i Drejtësisë, do të sillet urgjentisht harta e çmimeve dhe zoti ministër i Financave agjentët tatimorë në mbarë Shqipëri do të ndërmarrin hetimin e çmimeve të tregut dhe harta e çmimeve do të dalë mbi bazën e hetimit serioz dhe me përgjegjësi të plotë.”
Duke sjellë në vëmendje të qeverisë shqetësimin e qytetarëve për këtë çështje, Kryeministri Berisha tha se në disa rrethe çmimi real i tokës është shumë herë më i ulët, në krahasim me çmimin e përcaktuar nga qeveria. Organi tatimor, tha Kryeministri do të bëjë një hetim periodik të çmimeve të tregut, mbi bazën e të cilit do të përcaktohet edhe harta e çmimit të tokës.
“Unë ju garantoj se për fat jo të mirë, kemi ende rrethe që toka nuk shitet as edhe një euro. Le të shkojë kushdo të gjejë se sa është tregu i tokës në një seri rrethesh dhe po të shohë hartat tona, ato janë stratosferike. Çështja e çmimeve të tregut nuk mund të bëhet pengesë as për investimet dhe as për tregun e tokës. Ky do të jetë një hetim periodik. Do të vendoset një rregull që organi tatimor të bëjë hetimin e tyre dhe mbi bazën e tyre do të përcaktohet harta, pasi ajo lëviz, sot çmimet mund të jenë më të ulëta, nesër rriten dhe ne do t’i rrisim. Ne duhet të kemi një mekanizëm për çmimin e tokës të përafërt me bursën, që nuk e kemi ende.”
Kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu paraqitjen nga Ministria e Drejtësisë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë të ligjit, me anë të cilit synohet vënia në mbrojtje të investimeve.
“Në mbledhjen tjetër duhet të paraqitet ligji që investitori i huaj ose vendas që ka blerë pronën mbi bazën e dokumenteve të rregullta shtetërore, të miratuara në përputhje me ligjet e vendit, pas aktit të blerjes, prona është e tij dhe do të bëjë të gjitha ndërtimet. Për çdo parregullsi tjetër, do të jetë çështje midis palëve dhe shteti në mes, sepse po krijohet grupi i ri i falsifikatorëve dhe gjobëvënësve të investitorëve, të cilët, sapo investitori fillon të zhvillojë parcelën, shkojnë në gjykatë, sigurojnë një masë sigurie,e cila duhet të hiqet totalisht nga lista e masave të sigurisë dhe më pas, vazhdojnë gjobën, më jep 50 mijë euro me avokatin, që unë të tërhiqem nga gjykata. Kjo po ndodh prore. Investitorët duan mbrojtje absolute, ai e merr pronën me dokumente të rregullta, atëherë është shteti shqiptar që i del zot atij. Nuk ka asnjë njeri që ta shqetësojë më. Midis shtetit, palëve në kundërshti me njëra tjetrën vazhdon të zgjidhet çështja. Shteti i ka të gjitha mundësitë për zgjidhur problemin. Por nuk mund të pengohet investimi.”
14/10/2009