Kryeministri kërkoi përcaktimin e rregullave të qarta për zbatimin e këtij vendimi, sikundër procesi të mbikëqyret me rigorozitet.
Këshilli i Ministrave vendosi sot krijimin e një sporteli unik për kontrollin e qytetarëve, vendas e të huaj, në pikat e kalimit doganor dhe në porte. Kryeministri Berisha tha se ky vendim do të thjeshtojë dhe lehtësojë shumë punën në pikat tona të kalimit kufitar.
“Nga 4 - 5 ndalime që u bëheshin qytetarëve vendas e të huaj që hynin në pikat tona kufitare, tani do të ketë vetëm një pikë ndalimi. Dogana dhe policia bëhen së bashku në një pikë të vetme dhe kjo e thjeshton punën”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha dhe Ministri i Financave Ridvan Bode që të përcaktohen rregulla të qarta për zbatimin e këtij vendimi, sikundër procesi të mbikëqyret me rigorozitet.
“Duhet të përcaktoni rregulla shumë të qarta në zbatimin e tij, në mënyrë që efekti i vendimit të fillojë menjëherë. Në këtë mënyrë, ne nuk po bëjmë asgjë tjetër vetëm atë që vende të tjera e kanë bërë dhjetëra vite më parë. Ndaj ky është një vendim shumë i dobishëm”, u shpreh Kryeministri Berisha.
14/10/2009