Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivė e Kėshillit tė Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Qeveria e re gjen njė stacion tė mirėndėrtuar pėr tė kapur horizonte mė tė largėta se kėto qė kapėm nė mandatin e parė
 

Këshilli i Ministrave zhvilloi sot mbledhjen e tij të fundit për mandatin 2005-2009. Kryeministri Berisha u shprehu anëtarëve të qeverisë falënderimet dhe mirënjohjen për kontributin e tyre dhe punën e bërë gjatë këtyre katër viteve, duke realizuar reforma të thella që shënuan ndryshime të mëdha pozitive në të gjitha fushat.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Zotërinj ministra,

 

Sot, duhet të nis punimet e kësaj mbledhjeje, e fundit e mandatit 2005-2009, duke shprehur ndaj secilit prej jush falënderimin, mirënjohjen dhe vlerësimin më të madh për punën, dhuntitë e dëshmuara të punës në ekip gjatë këtyre katër viteve, bashkëpunimin e frytshëm që kemi pasur si koalicion apo si qeveri e një koalicioni prej disa partish. Kjo është mbledhja e fundit, pra, është edhe veprimtaria e fundit e këtij kabineti. Por dua të theksoj se ky është një fund, padiskutim, krenar. Në karrierën tuaj politike jam i bindur se këto kanë qenë vitet më të frytshme të saj. Ky është fund krenar, sepse sot ne mbyllim një mandat, pasi kemi realizuar realisht shumë më tepër, sesa kemi imagjinuar katër vite më parë. Sot, ne mbyllim mandatin, pasi ia dolëm që me reforma të thella e të gjithanshme të realizojmë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të shndërrojmë në realitet një projekt ëndërr të kombit shqiptar.

 

Ne mbyllim mandatin, pasi, me reformat tona në këto katër vite, shënuam ndryshimin më të madh pozitiv të këtij vendi dhe e bëmë ndryshimin një konstante të jetës së përditshme të shoqërisë shqiptare, qytetarëve të saj dhe vendit në tërësi.

 

Shqipërinë, që sundohej nga bandat dhe krimi, e bëmë një prej vendeve më të sigurta. Shqipërinë, që ishte shndërruar në një kënetë të korrupsionit, e bëmë vendin që bën luftën më të suksesshme ndaj korrupsionit. Kjo qeveri mund të marrë shumë vlerësime, por një prej tyre do të mbetet monumentale, kampione në reformat e saj në luftën kundër korrupsionit.

 

Në këto katër vite, Shqipërinë, më të papërfillshme nga biznesi ndërkombëtar, e shndërruam në vendin më tërheqës, e renditëm në nivelet më të larta të suksesit të reformës ekonomike dhe klimës së biznesit, e renditëm ndër vendet e një suksesi të madh të partneritetit publik privat. Shqipërinë e kohës së ndaluar në fushën e energjisë e vumë në shinat e shndërrimit të saj në një superfuqi të ardhshme energjetike në rajon, e shkëputëm nga terri dhe dënimi kolektiv. Sot, vendi ka standarde krejtësisht të tjera në klimën e biznesit.

 

Këto katër vite, ne realizuam të paimagjinueshmen, korridorin e kombit,  i cili është e do të mbetet vepra më madhore e punëve publike në historinë e vendit. E vlerësuar si një nga punët publike më të mëdha në botë, vetëm në 60 kilometrat e saj janë lëvizur dhera, shkëmbinj dhe gurë mbi 2.5 herë më shumë se në të gjithë kaskadën e Drinit.

 

Në katër vite, Shqipërinë e rrokullimës fiskale e shndërruam në vendin e lirisë më të madhe fiskale, në vendin, në të cilin revolucioni fiskal bëri që pothuaj të dyfishohen të ardhurat.

 

Shqipërinë, e cila kishte nivelin e përhapjes së IT-së ndër më të ulëtit në botë me 4 përqind, e bëmë që të ketë ritmet e rritjes më të larta në Europë në fushën e IT-së.

 

Në këto katër vite, në sajë të reformës në arsim, ne kapëm standardet europiane në dy tregues jashtëzakonisht të rëndësishëm. Në Shqipëri rekrutimi, numri i studentëve, numri i të rinjve që mbarojnë shkollat e mesme është i njëjtë me atë të disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në Shqipëri, numri i studentëve për frymë është i njëjtë me atë të disa vendeve anëtare të BE-së.

 

Këto ishin vitet, në të cilat u shënua një ndryshim jashtëzakonisht i rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Shqipëria, e cila erdhi në vitin 2005, absolutisht, në prag të një dënimi ndërkombëtar për gjendjen katastrofale dhe mizore në burgjet e saj, me punën më serioze ka vendosur aty standarde krejtësisht të tjera. Raporti i fundit i Komitetit të Këshillit të Europës kundër torturës evidenton ço arritje të rëndësishme thelbësore në këtë fushë. Për të mos u ndalur këtu në një seri ligjesh të tjera që u miratuan, ndryshimet kushtetuese do të mbeten gjithmonë një kontribut madhor në reformën institucionale të vendit.

 

Shqipëria ka sot një infrastrukturë krejt tjetër. Por çka është më e rëndësishme është se i kemi të qarta të gjitha projektet për katër vitet që vijnë dhe e vërteta është se në katër vite ky vend do të jetë absolutisht tjetër.

 

Qeveria shqiptare adoptoi këto katër vite standarde krejtësisht të tjera në mbrojtjen e mjedisit dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të tij. Janë vendosur norma dhe ligje me një impakt shumë pozitiv për mjedisin dhe shëndetin.

 

Gjithashtu, është bërë një decentralizim i shpejtë dhe i suksesshëm, si asnjëherë më parë. Mbi 700 hektarë pyje dhe kullota i kaluan qeverive vendore dhe kjo bëri që ato të kenë një patronazh dhe proces mbrojtjeje dhe zhvillimi më të mirë. Nuk mund të them me saktësi se në çfarë përqindjeje ka qenë mbrojtja nga zjarret, por ky ka qenë viti i zjarreve më të kufizuara në historinë e vendit. E sigurt është se syri, mendja, vëzhgimi i komunave mbi pronat është shumë herë më kompetent se ai i qeverisë qendrore. Ne decentralizuan ujësjellësit, si dhe u rrit disa herë granti për qeveritë vendore.

 

Në këto katër vite, politika e jashtme shqiptare mori dimensione që nuk i ka pasur ndonjëherë. Këto ishin vitet, kur një ndër problemet më madhore të kombit shqiptar, pavarësia e Kosovës, mori  zgjidhjen më të shkëlqyer. Unë ju garantoj se kjo qeveri ka bërë detyrën e vet në mënyrën më të vendosur dhe eficente. Sigurisht, pavarësia e Kosovës është vepër dhe meritë, në radhë të parë e para së gjithash, e qytetarëve dhe udhëheqjes politike të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqve të mëdhenj të shqiptarëve, por qeveria përmbushi rolin e saj.

Sikundër politika e jashtme e qeverisë shqiptare ishte politikë e suksesit të plotë. Dëshmi e saj është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.

 

Qeveria që mbyll sot mandatin e saj, ia doli që një fushë tërësisht të harruar, mbi të cilën rëndonte prapambetja shekullore e një trashëgimi e hidhur e kësaj prapambetjeje, që është fusha rurale, bujqësia, me seriozitetin e vet të investojë në zhvillimin e qëndrueshëm të saj 1.6 miliard dollarë, ia doli të shpëtojë dhjetëra mijëra hektarë tokë nga kalbja, përmbytja dhe thatësira. Ajo ia doli ta vendosë mbi një plan të qartë dhe në piedestalin që meriton këtë sektor jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

Ndryshime thelbësore janë bërë në qëndrimin ndaj trashëgimisë kulturore të vendit. Gjirokastra dhe Berati janë sot trashëgimi kulturore botërore. Por mendoj se interesi për konservimin e kësaj trashëgimie dhe zhvillimin më tej të saj ka pasur rritje të ndjeshme.

 

Një fushë ka shënuar bumin më të paparashikuar dhe kjo ka qenë fusha e turizmit. Cili shqiptar e imagjinonte katër vite më parë, se vendi do të kishte vitin e kaluar  2.7 milion turistë dhe këtë vit me siguri mbi 3 milion, se në këtë vend turizmi do të rritej vit pas viti në mënyrë marramendëse. Nuk besoj se mund të kishte pasur imagjinatë që të thoshte se Shqipëria në katër vite, krahasuar me vitin 2004, do të dhjetëfishonte numrin e turistëve në vend.

 

Këto vite kanë qenë vitet, në të cilat suksesi i reformave bëri të mundur shënimin e hapave shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit europian. Ky proces nisi me firmosjen e procesit të Stabilizim Asociimit në qershor të vitit 2006, me zbatimin me rigorozitet të Marrëveshjes Interim me Komisionin Europian dhe pranimin e kërkesës së Shqipërisë së statusit të kandidatit, në vlerësimin e Shqipërisë potencialisht si një vend i mundshëm për të hequr vizat dhe liberalizuar lëvizjen.

 

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë zhvilluar reforma të thella. Janë këto reforma që bënë të mundur që Shqipëria të ketë vitin e ardhshëm ushtri tërësisht profesionale, që bënë të mundur që Shqipëria të konsiderohet dhe vlerësohet plotësisht e mundshme për anëtare e NATO-s, por edhe që të dyfishojë rolin dhe pjesëmarrjen e saj në të gjitha operacionet paqeruajtëse në botë.

 

E fundit, por do të thosha më e rëndësishme është se kjo qeveria realizoi në katër vite rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve në tërë kontinentin tonë dhe botën. Nuk ka qeveri që të ketë rritur rrogat e pensionet me përqindjen që i kemi rritur ne, gjatë një mandati, me të cilën lamë mbrapa vendet anëtare të BE-së dhe nxorëm mbi 400 mijë shqiptarë nga varfëria. Lufta që ne i bëmë varfërisë është një nga sukseset madhore të qeverisë.

 

Unë edhe një herë dua t’ju falënderoj. Qeveria e ardhshme gjen një bazë, një stacion të mirëndërtuar për të kapur në katër vite horizonte shumë më të largëta se këto që ne kapëm në katër vitet që shkuan. Kompozimi i saj është një proces kompleks, por për një gjë dua ta garantoj secilin prej jush. Se kush do të ulet në këto vende pas 10 ditësh apo dy javësh edhe unë nuk e kam ende të qartë, por ata nga ju që do të mungojnë, absolutisht nuk do të mungojnë as nga moskonsiderata e Sali Berishës dhe as nga mungesa e kontributit të tyre parësor në këto katër vite. Natyrisht, kompozimi do të jetë kompleks dhe unë jam i bindur se integriteti juaj politik është i mjaftueshëm për të mirëkuptuar zgjidhjet e ardhshme që Kryeministri do të bëjë në interesin më të mirë të vendit. Edhe një herë ju falënderoj.

 

Jashtë mediave kam vendosur të shtroj një drekë private miqësore për anëtarët e qeverisë, por para se ta mbyll, dua të  falënderoj përzemërsisht familjet tuaja, t’ju shpreh atyre mirënjohjen time. Secili prej tyre do të mund të kishte pasur një jetë familjare më të plotë në variante të tjera, por sakrifica që kanë bërë duke mbështetur përpjekjet tuaja, është një sakrificë në të mirën e familjeve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.”

 


02/09/2009

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave