Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh se pas diskutimeve të zgjeruara është marrë një vendim i drejtë për sa i përket tregtimit të naftës D2 në vend.
Kryeministri Berisha u shpreh se “Autoriteti i Konkurrencës me të drejtë i kërkon qeverisë të ndryshojë një vendim. Pas diskutimeve të zgjeruara, mendoj se ne kemi marrë vendimin më të drejtë, jo të shtojmë squfur për mushkëritë e shqiptarëve, por gjithashtu të mos pranojmë situatën pothuajse monopol të një operatori në fushën e naftës. Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës z. Genc Ruli, po punon dhe me autoritetin në mënyrë që operatori i prodhimit të jetë i detyruar ta shpërndajë naftën D2 tek operatorët e tjerë sipas përqindjeve të caktuara dhe peshës që ka në treg. Nafta D2 është importuar, por tani nuk do të ketë më import të saj. Në vitin 2010, në qoftë se shqiptarët do të votojnë këtë qeveri dhe unë kam shumë besim tek ata, sepse ata më besojnë mua dhe unë u besoj atyre, nuk do të ketë më naftë D2 në rrugë. Ajo përmban një përqindje jashtëzakonisht të lartë squfuri. Ne e shtymë me një vit për shkak të kushteve dhe diskutimeve për privatizimin. Ka ende vende që e përdorin naftën D2, por ne do përpiqemi të kemi një mjedis të pastër. Ky është dhe një mesazh shumë pozitiv i fillim vitit për të gjithë mjedisorët e vërtetë, jo ata antiglobal”.
07/01/2009